Shumë shpejt plotësohen me mjekë specialistë të gjitha spitalet

TIRANË, 19 shkurt/ATSH-Maela Marini/ “Shumë shpejt do të plotësohen me mjekë specialistë të gjitha spitalet e vendit”, – deklaroi sot nga Puka, Kryeministri Edi Rama, duke iu referuar situatës së trashëguar në shëndetësi, e cila krijoi vakuum mjekësh specialistë.

Në kuadër të turit “Bashkia që duam”, Kryeministri iu përgjigj shqetësimit të një banori për mungesën e mjekëve specialistë në spitale.

Kryeministri theksoi se “për arsye të çuditshme, qeveria e mëparshme nga viti 2009-2013 i ndërpreu specializimet në mjekësi dhe në 4 vite u krijua një gropë dhe ne trashëguam vakuum”.

“Rifilluam specializimet dhe në janar kanë filluar të dalin mjekët e parë specialistë dhe shumë shpejt do të plotësohen me specialistë të gjitha spitalet”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se qeveria ka vendosur edhe një bonus për të gjithë specialistët që pranojnë të punojnë jashtë Tiranës, që është i barabartë me pagën që do merrnin po të punonin mjekë në Gjermani, 2 milionë lekë plus rrogën.

“Kjo e ka ndihmuar shumë situatën. Kemi aktualisht 13 raste mjekësh shqiptarë që janë kthyer nga jashtë për të punuar në spitalet e vendit. Pak nga pak situata e trashëguar do të rikuperohet”, – tha Rama. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.