Pakti për Universitetin, Shahini: Kontrata jonë me studentët

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/- Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini deklaroi mbrëmjen e së martës se me informacionet e mbledhura nga çdo takim me pedagogë e studentë të çdo universiteti, do të ndërtohet një kontratë sociale me studentët.

Në një intervistë televizive, ministrja Shahini tha se dokumenti i hartuar ka si qëllim plotësimin jo vetëm të 8 kërkesave të studentëve, por mbi të gjitha përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë.

“Qysh në fillim të janarit ne kemi hartuar një dokument për plotësimin e kërkesave të studentëve që i ngritën në dhjetor. Kemi ndërtuar një dokument që quhet Pakti për Universitetin, ku si draft të parë kemi prezantuar ofertën tonë, pikat tona, por duam që nga diskutimet që bëjmë nga universiteti në universitet me pedagogë dhe studentë, t’i plotësojmë me gjëra specifike në universitete të caktuara, sepse nuk janë të gjitha në të njëjtën fazë dhe në njëjtin stad të zhvillimit të tyre. Mbi këtë informacion të ndërtojmë një kontratë sociale që do të jetë një kontratë sociale mes Ministrisë së Arsimit dhe ministrive të tjera, universitetet dhe studentët do të shërbejnë si garant për realizimin e këtyre pjesëve.

Protesta e studentëve sipas ministres Shahini ka shtuar vëmendjen ndaj arsimit të lartë.

“Jemi në një moment fantastik, për të bërë ndërhyrje të rëndësishme, pasi më herët nuk ka qenë vëmendja tek Arsimi i Lartë siç është sot”, – theksoi Shahini.

Shahini tha se tashmë procesi ka hyrë në një fazë të dytë.

“Ishte kërkesë e studentëve për të rritur përfaqësimin e tyre. Ajo çka do të bëjmë është që të shkarkojmë të gjithë anëtarët e bordit për të vënë të rinj dhe i kemi thënë studentëve  do të keni mundësinë që një nga anëtarët do ta zgjidhni ju”, – tha Shahini.

Investimet në sistemin parauniversitar janë të pamohueshme sipas ministres.

Ministrja tha se “Shqipëria është një nga shtetet që bën përparimin më të shpejtë nga viti në vit në testin PISA”.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.