Pacolli: Ta dëgjojmë SHBA-në

PRISHTINË, 19 shkurt/ATSH/ – Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli thotë se duhet të gjejmë zgjidhje dhe të respektojmë kërkesat e aleatit të Kosovës siç është SHBA-ja.

“Me letrat e Presidentit Trump drejtuar Presidentit Thaçi apo dhe me letrat e tre institucioneve kryesore të SHBA-ve është vërtetuar qartë se SHBA e do njohjen tonë prej Serbisë, është një bekim për ne. Nga ana tjetër, ne nuk jemi qendër e botës dhe as kemi për të qenë ndonjëherë, ndaj duhet ta vlerësojmë lart këtë pozicionim të radhës nga SHBA-të në favorin tonë. Ne duhet të gjejmë zgjidhjen e duhur, që të respektojmë çdo kërkesë të miqve tanë e që janë në interesin tonë”, shprehet Pacolli.

Ai thekson se të gjitha institucionet tona duhet të flasin me një zë siç ka  kërkuar Presidenti Trump.

“Këto letra brenda një kohe kaq të shkurtër, mesazhet e tyre në përputhshmëri me njeri tjetrin, janë rast që ne të forcohemi mes vete dhe jo të ndahemi!”, deklaron Pacolli.

Ai ka ftuar për një takim të përbashkët, urgjent të gjithë udhëheqësit politikë të Kosovës me miqtë tanë të SHBA-ve dhe të perëndimit për të koordinuar veprimet, cilatdo qofshin ato, por që sipas Pacollit, shkojnë në interesin e miqësisë më aleatet tonë perëndimor dhe në interesin kombëtar. /KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.