Kukan: Vendi ku opozita ka një rol të rëndësishëm është Parlamenti

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ – Raportuesi në hije për Shqipërinë, Eduard Kukan gjatë një interviste për “ABC news”, theksoi se nuk pajtohet me ngjarjet e dhunshme të protestës së 16 shkurtit, ku u sulmuan institucionet shtetërore dhe se bojkoti i Parlamentit nuk është zgjidhje.

Sipas Kukan është e drejta e qytetarëve që të protestojnë dhe të tregojnë  mosmarrëveshjet e tyre ndaj politikave të qeverisë. I shqetësuar për përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve politike, Kukan thekson se Shqipëria ka nevojë për dialog politik konstruktiv mes partive politike, ndryshe do të ishte e vështirë lëvizja drejt integrimit në Bashkimin Europian.

“Nuk mendoj se bojkoti i ardhshëm i Parlamentit është përgjigja e problemeve me të cilat ballafaqohet vendi, – ka thënë Kukan duke vijuar se, – Shqipëria ka shumë politikanë me përvojë, të cilët tashmë e dinë se si të zgjidhin krizat politike”.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.