Koronarografia edhe në spitalin e Fierit, Rama: Ata që s’duan të shohin, të gjejnë arsye që të hapin sytë


TIRANE, 19 shkurt/ATSH/- Në spitalin rajonal të Fierit, u realizua për herë të parë koronarografia, një procedurë invazive, që konsiston në kontrollin e arterieve koronare.

Pas Tiranës dhe Shkodrës, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka zgjeruar hartën e njësive të hemodinamikës, për herë të parë, edhe në jug të vendit për t’i shërbyer pacientëve me probleme kardiake.

“MIRËMËNGJES, dhe me këto momente nga hyrja në funksion e një tjetër investimi transformues në spitalin e Fierit, duke u lutur që ata që s’duan të shohin të gjejnë arsye për të hapur sytë, ju uroj një ditë të mbarë”, shprehet Kryeministri Edi Rama.

Pacientja e cila bëri këtë ndërhyrje tha se kurohej prej 5 vitesh nga zemra. “Më thanë që duhet të bëj koronarografinë”, tha ajo.

Doktor Ndriçim Kallashi kardiolog në njësinë e Hemodinamikës në spitalin e Fierit, që kreu këtë procedurë shprehet se “koronarografia në spitalin rajonal të Fierit shkoi shumë mirë dhe për pak pacientja del në pavijon”.

Gjashtë muaj më parë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu premtuan mbështetje për spitalin e Fierit për ta shndërruar atë në një spital rajonal, i cili të ofrojë shërbime të reja në fushën e kirurgjisë dhe shërbime të tjera.

Kjo mbështetje dha frutet e saj të dukshme dhe tani e në vazhdim, koronarografia do të kryhet edhe në spitalin rajonal të Fierit.

Rreth 163 mijë pacientë janë përfitues të drejtpërdrejtë të investimit të qeverisë për transformimin e spitalit rajonal të Fierit. Po ashtu spitali rajonal i Fierit mbulon gjithë urgjencat kardiake të rajonit jugor të vendit, falë investimeve në laboratorin e ri të hemodinamikës. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.