FOTO/ “E bukura e Adriatikut” hap sezonin e kroçerave në Durrës

– Çdo të shtunë, për dy muaj radhazi, vizita në qytetin bregdetar –

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/-  “La Belle de L’Adriatique” mbërriti sot paradite në Durrës, duke hapur sezonin e turistëve me kroçera në qytetin bregdetar.

Anija me 134 turistë francezë në bord mbërriti nga ishulli i Korfuzit, ndërsa mësohet se gjatë fundjavës së kaluar ajo është ankoruar edhe në Sarandë dhe Vlorë.

Turistët e huaj përveç qendrave arkeologjike dhe historike të Durrësit do të vizitojnë sot edhe qytetin e Tiranës.

Kroçera me gjatësi 111 metra dhe me flamur belg do të ankorohet në Durrës edhe shtatë të shtuna radhazi. Ky është viti i tretë i lundrimit të kroçerës “La Belle de L’Adriatique” drejt Durësit.

Sezoni turistik në portin e Durrësit këtë vit ka nisur më shpejt dhe do të zgjasë mbi 9 muaj. Deri tani në APD është njoftuar mbërritja e 25 kroçerave dhe velierave turistike, të cilat do ta vizitojnë portin e Durrësit nga muaji shkurt deri në nëntor të këtij viti. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.