Djegia e mandateve, Koçi: Vendim i rrezikshëm, në dëm të integrimit dhe sigurisë së vendit… Opozita ti thërrasë mendjes!

TIRANË, 19 shkurt/ATSH-A. Fortuzi/ – Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi gjatë një interviste në studion e Agjencisë Telegrafike Shqiptare, u shpreh se vendimi i opozitës për të djegur mandatet është tejet i rrezikshëm.

“Protesta e të shtunës nuk realizoi pritshmërinë që kishte opozita. Nuk pati prezencën e pritur. Opozita kërkoi të kishte kamikazë që do përplaseshin me policinë, por ishte një numër i vogël i personave që kërkonin të përplaseshin dhe kjo solli që protesta të ngelej vetëm me një grusht personash”, tha Koçi.

“Ky shërbeu dhe për atë që më vonë mori një vendimmarrje konsensuale, një precedent i rrezikshëm në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Nëse ky lloj instrumenti do të kthehej në një lloj mekanizmi që do përdornin opozitat kudo në botë dhe do të sillte rrënim të procesit zgjedhor e demokratik si e vetmja rrugë që partitë politike vijnë në pushtet. Kështu që do të mbetet një alternativë e papranueshme dhe e rrezikshme”, tha Koçi.

“Duket qartazi që opozita do të djegi Shqipërinë për një pushtet të marrë në tavolinë. Inatin s’e ka me mazhorancën, por me popullin që nuk e voton dhe për këtë ecën me filozofinë e ’97, që ‘ta tregoj unë qejfin’. Opozita ndihet e kërcënuar nga Reforma në Drejtësi, vijoi Koçi, pasi kjo reformë kërcënon atë… Demonstrimi më i mirë i kësaj është aleanca e saj me sistemin e kriminalizuar të drejtësisë së deritanishme dhe hapat që ndërmori për ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë”, tha zv/ministri i Mbrojtjes.

“Opozita duhet ti thërrasë mendjes. Faktori Ndërkombëtarë ka deklaruar qëndrimin e tij kundër dhunës”, tha Koçi.

Ai shtoi se mazhoranca është e fokusuar në zgjedhjet lokale të qershorit. “Ne jemi fokusuar të zgjedhjet lokale. Kudo, në çdo qytet ndihet dora e qeverisë sonë dhe pushteti lokal të drejtuar nga ne”, tha Koçi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.