Biznesi gjerman, investime në sektorin e turizmit dhe energjetikës në Shqipëri

TIRANË, 19 shkurt ATSH/ – Biznesi gjerman mundësi për investime në sektorin e turizmit dhe energjetikës në Shqipëri.

Në vijim të vizitës së tij zyrtare në Gjermani, Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë në Konferencën Vjetore të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme gjermane në Berlin, ku mbajti edhe një fjalë përshëndetëse si i Ftuar Nderi.

Konferenca vjetore është një nga aktivitetet më të rëndësishme politike dhe ekonomike në Berlin, ku marrin pjesë mbi 3500 personalitete të shquara gjermane dhe ndërkombëtare të politikës, botës së biznesit dhe shoqërisë civile.

Këtë vit, në panelin kryesor përveç Presidentit Meta, përshëndetën me fjalimet e tyre dhe Presidentja e Republikës së Kroacisë, Kolinda Grabar – Kitaroviç, edhe ministri Federal për Çështjet Ekonomike dhe Energjinë, Peter Altmaier.

Presidenti Meta gjatë fjalës së Tij, vlerësoi partneritetin strategjik dhe marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit në të gjitha fushat mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Gjermanisë.

Kreu i Shtetit shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen financiare dhe teknike të Gjermanisë, për më shumë se 30 vite, në fushat më jetike të ekonomisë tonë si: energjetika, infrastruktura, bujqësia, turizmi, shëndetësia, SME-të dhe arsimi profesional, ku kontributi i saj tejkalon vlerën e 1 miliard $, duke u renditur si donatori më i rëndësishëm në Shqipëri.

Presidenti Meta gjatë fjalës së tij bëri një ekspoze të potencialeve në sektorët prioritar, ku renditi mes të tjerash dhe disa oportunitete investimesh për biznesin e huaj dhe atë gjerman në veçanti.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta ftoi biznesin gjerman për mundësitë e investimeve në sektorin e turizmit dhe energjetikës në Shqipëri.

“Ftesa ime e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë është që t’ju ftoj në Shqipëri jo vetëm si turistë për të shijuar bukuritë e saj të jashtëzakonshme, por edhe si investitorë potencial duke shfrytëzuar kapitalin tuaj financiar dhe ekspertizën menaxheriale në sektorin e turizmit”, theksoi Presidenti Meta.

“Gjermania është promotorja kryesore në Europë e ‘ekonomisë së gjelbër’ dhe energjisë së rinovueshme. Në këtë kontekst, është një oportunitet i artë që investitorët gjermanë të eksplorojnë dhe të investojnë në tregun energjetik shqiptar dhe atë rajonal sepse qeveritë e Ballkanit, me ndihmën edhe të donatorëve të huaj siç është dhe ‘KfW’, po financojnë projekte të përbashkëta në linjat e transmetimit dhe në sistemin e shpërndarjes, sikurse po synohet krijimi i një ‘burse energjetike rajonale’ në mënyrë që edhe kapacitetet e reja prodhuese të penetrojnë në tregun europian”, – tha ndër të tjera Presidenti Meta.
Në përfundim, Presidenti Meta nënvizoi se bota po përjeton epokën e globalizimin 4.0, ku ekonomia dixhitale dhe teknologjia e informacionit janë bazat e modelit të ri të zhvillimit ekonomik dhe ku Shqipëria ka shumë për të mësuar edhe nga eksperienca gjermane. Presidenti Meta vlerësoi rëndësinë e prezencës së kompanive gjermane në Shqipëri dhe në rajon në forcimin e perspektivës europiane të vendeve tona.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.