Bajpasi i Tepelenës, përfundojnë punimet në rrugën e shërbimit

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ – Punimet për ndërtimin e bajpasit të Tepelenës po vijojnë me ritme mjaft të shpejta dhe deri tani ka përfunduar rruga e shërbimit e cila do të shërbejë për devijimin e trafikut të rrugës nacionale gjatë 12 muajve, duke i hapur rrugë punimeve për aksin kryesor.

Për të inspektuar punimet e këtij bajpasi, për inspektim ka shkuar Drejtoresha e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato e cila theksoi se deri tani është ndërtuar 90% e punimeve për mbrojtjen lumore.

“Vijon inspektimi në kantierin e punimeve për ndërtimin e Bypass-it të Tepelenës.
Ky projekt me rëndësi kombëtare mundëson lidhjen e dy segmenteve rrugore, segmentin e sapondërtuar Levan-Tepelenë (hyrje) dhe segmentin Tepelenë (dalje)-Gjirokastër-Kakavijë (pika doganore), si pjesë e aksit Veri-Jug.
Nga inspektimi i kryer në prani të kontraktorëve, inxhinierëve dhe kryetarit të bashkisë së Tepelenës, vumë re se punimet po ecin me ritme të kënaqshme. Deri më tani janë realizuar në masën 90% punimet për mbrojtjen lumore dhe kanë përfunduar punimet në rrugën e shërbimit, e cila do të shërbejë për devijimin e trafikut të rrugës nacionale gjatë 12 muajve, për t’i hapur rrugë fillimit të punimeve në aksin kryesor”, theksoi Qato.

Sipas drejtoreshës së ARRSH, sfidë mbetet realizimi i punimeve në aksin kryesor, i cili është planifikuar që të përfundojë brenda 12 muajve të ardhshëm.

“”Gjithashtu është punuar me realizimin e mbrojtjes së skarpateve përgjatë murit të Kalasë, ndërtimin e mureve mbajtëse për zgjerimin e trupit të rrugës, si dhe përfundimin e urës së re, pjesë e rëndësishme e këtij projekti.
Sfidë mbetet realizimi i punimeve në aksin kryesor, i planifikuar të përfundojë brenda 12 muajve të ardhshëm!”, tha ajo.

Bajpasi i Tepelenës është një vepër mjaft e rëndësishme për zonën, pasi do të minimizojë trafikun, do të ulë rrezikshmërinë dhe aksidentet rrugore, si dhe do të ndikojë në ekonomi.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.