Arkivi i filmit sjell për publikun një kryevepër të kinematografisë italiane

TIRANË, 19 shkurt /ATSH/ – Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit sjell për publikun filmin “Oriz i hidhur” një kryevepër të kinematografisë italiane.

Një prodhim që i takon vitit 1949 dhe mban emrin e një prej regjisorëve të njohur italianë, pjesë e fondit që më parë nuk është shfaqur për publikun. Mbrëmjen e së mërkurës nga fondi i arkivit këtë herë do të jetë filmi i regjisorit Giuseppe De Santis në kinema “Agimi”.

AQSHF bën me dije se publiku do të ketë mundësi të shikojë një kryevepër të kinematografisë italiane, që u nominua dhe për çmimin Oscar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe Çmimin e Madh në Festivalin e Filmit të Kanës në 1949.

Sipas arkivit, nga kjo dramë e egër dhe pasionante për audiencë të rritur, bota u prezantua me aktoren legjendare Silvana Mangano, si dhe yllin protagonist Vittorio Gassman.

Bashkëshkruar nga skenaristi mjeshtër Carlo Lizzani, përzierja e neorealizmit me melodramën shkon përshtat me rrëfimin e punëtores së orizores, që zbulon planin e një krimineli.

Ky film vjen në vijim dhe të tjera prodhimeve të fondit filmik, që konsiderohen të rralla,  dhe nuk janë shfaqur për publikun dhe arkivi ynë e disponon këtë kryevepër të kinemasë italiane në një kopje origjinale dhe në gjendje të pacenuar.

Filmi “Oriz i hidhur” që i takon vitit 1949 i skenaristit dhe regjisorit Giuseppe de Santis për AQSHF ka shumë vlerë në materialet, që janë në fondin filmik. Filmi do të jetë në kinema ”Agimi” me titra në gjuhën shqipe, një punë që është bërë nga vetë AQSHF dhe vjen për publikun më datë 20 shkurt, ora 19:00. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.