Zgjerohet harta e shërbimit, për herë të parë koronarografia edhe në spitalin e Fierit

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/- Në spitalin rajonal të Fierit u realizua për herë të parë koronarografia, një procedurë invazive, që konsiston në kontrollin e arterieve koronare.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, theksoi se “në njësinë e hemodinamikës në spitalin rajonal të Fierit u realizua procedura e parë e angiografisë koronare”.

“Pas Tiranës dhe Shkodrës, zgjerojmë hartën e Njësive të Hemodinamikës, për herë të parë, edhe në jug të vendit për t’i shërbyer pacientëve me probleme kardiake”, shprehet Manastirliu.

Pacientja e cila bëri këtë ndërhyrje tha se kurohej prej 5 vitesh nga zemra. “Më thanë që duhet të bëj koronarografinë”, tha ajo.

Doktor Ndriçim Kallashi kardiolog në njësinë e Hemodinamikë në spitalin e Fierit, që kreu këtë procedurë shprehet se “koronarografia në spitalin rajonal të Fierit shkoi shumë mirë dhe për pak pacientja del në pavijon”.

Gjashtë muaj më parë kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu premtuan mbështetje për spitalin e Fierit për ta shndërruar atë në një spital rajonal, i cili të ofrojë shërbime të reja në fushën e kirurgjisë dhe shërbime të tjera.

Kjo mbështetje dha frutet e saj të dukshme dhe tani e në vazhdim, koronarografia do të kryhet edhe në spitalin rajonal të Fierit.

Rreth 163 mijë pacientë janë përfitues të drejtpërdrejtë të investimit të qeverisë për transformimin e spitalit rajonal të Fierit. Po ashtu spitali rajonal i Fierit mbulon gjithë urgjencat kardiake të rajonit jugor të vendit, falë investimeve në laboratorin e ri të hemodinamikës. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.