Investimet çeke, diskutohet potenciali në turizmin shqiptar

TIRANË, 18 shkurt /ATSH/ – Ambasadori Ilirian Kuka i shoqëruar nga ministrja Këshilltare Meri Shahini, zhvilluan një takim me ministren e Zhvillimit Rajonal, Klára Dostálová, në vijim të vizitës së Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi në Pragë.

Qëllimi i takimit ishte të ndiqet vijueshmëria e çështjeve të ngritura në takimin në mes dy ministrave, rreth një muaj më parë. Bashkëbiseduesit diskutuan mbi potencialet e investimeve çeke në fushën e turizmit, si dhe mbi krijimin e hapësirave të reja të bashkëpunimit në këtë fushë. 

Ambasadori Kuka pasi e njohu ministren Dostálová me hapat që po merren nga qeveria për rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe produkteve shqiptare, u ndal tek interesi i palës sonë për të bashkëpunuar, shkëmbyer eksperiencë dhe ekspertizë mbi skuadrat e shpëtimit malor.

Gjithashtu u diskutua dhe për trajnimet e ndryshme që mund të ofrohen nga pala çeke për guidat turistike dhe shoqatat e agjencive të udhëtimeve; mbi mundësinë e promovimit të produkteve shqiptare të kulinarisë dhe traditave kulturore në mjedise të vëna në dispozicion nga të dyja ministritë, në vendet respektive; si dhe mbi mundësinë e mbulimit me fluturim direkt Pragë–Tiranë, për një periudhë më të gjatë kohore, dhe jo vetëm për sezonin veror, etj. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.