FOTO/ “Rrënjët nuk humben, ato kultivohen”, kremtohet në Gjenevë 11-vjetori i Pavarësisë së Kosovës

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/- Nën moton “Rrënjët nuk humben, ato kultivohen” Universiteti Popullor Shqiptar në Gjenevë kremtoi me një pritje festive 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

E veçanta e kësaj pritje ishte prania e grupit “Vëllezërit arbëreshë”, të ftuar enkas nga UPSH, në shenjë falënderimi për ruajtjen e gjuhës e kulturës arbërore në diasporë.

Publiku i shumtë në sallë, me banim në Zvicër, shihte te përfaqësuesit arbëreshë vetveten, me problemet e largimit nga atdheu, të përpjekjeve të vazhdueshme për ruajtjen e gjuhës dhe trashëgimisë kulturore, me dekadat e largimit, me brezat që lindin e rriten në diasporë, me dilemën e kthimit, me pakënaqësitë për mirënjohje për kontributin e dhënë, me zhgënjimet e vazhdueshme dhe me paradoksin e dashurisë së pamasë për vendin me brenga.

Arbëreshët fillimisht vizituan misionin e Shqipërisë në Gjenevë, ku u pritën nga ambasadorja shqiptare në OKB, Ravesa Leshi, për të vazhduar më pas me pritjen e qindra mërgimtarëve në sallën “Gandi” në qendër të Gjenevës dhe në mbyllje me një vizitë në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë, ku u pritën nga konsulli i saj i përgjithshëm, Ramadan Avdiu.

Të pranishëm ishin po ashtu edhe personalitet të larta të botës shqiptare e zvicerane, nga fusha e artit, shkencës e politikës.

Deputeti i Parlamentit të Zvicrës, Carlo Sommaruga, theksoi në fjalën e tij se në këtë përvjetor vlen të përkujtojmë rolin e Zvicrës në pavarësinë e Kosovës.

Ai u shpreh se ndihet i nderuar kur në arenën politike zvicerane ka gjithnjë e më shumë të zgjedhur me origjinë shqiptare.

Ambasadori Ilir Gjoni, në fjalën e tij tha se “Kosova e fitoi betejën e luftës, tani i mbetet të fitojë betejën e paqes”. Ai vlerësoi lart rolin e mërgatës duke vendosur paralele simbolike midis arbëreshëve dhe diasporës së sotme.

Kënga qytetare e interpretuar me mjeshtëri nga Mimoza Nazarko dhe trio e muzikantëve, tingujt dhe këngët e bukura të rapsodëve të Gjenevës, sollën një muze etnografik në miniaturë që i paraprinë fuqisë dhe haresë së këngës arbëreshe./k.s/j.p

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.