ARKEOLOGJI – Zbulohet një skelet human 5 000-vjeçar

TEHERAN, 18 shkurt /ATSH-AA/ – Arkeologët kanë zbuluar një skelet njeriu që daton rreth 5 000 vite më parë.

Skeleti është gjetur në provincën iraniane Mazenderan dhe i përket një vajze.

“Si rezultat i gërmimeve të kryera në qytetin Babol, në provincën Mazenderan, gjetëm skeletin e një vajze të moshës 13-14 vjeçare, me zbukurime dhe stoli prej guri në qafën e saj. Mendojmë se skeleti daton tre deri pesë mijë vjet më parë”, tha Muhammed Fazli, kreu i ekipit të arkeologëve.

Fazli tha se do të vazhdojnë gërmimet në Mazenderan.

Ai rikujtoi se të ashtuquajturit gjuetarë thesaresh kanë bërë po ashtu gërmime të paautorizuara në rajon, gjë që ka komplikuar punimet.

Gërmimet e para arkeologjike në Iran u zhvilluan në Susa në vitin 1850 nën udhëheqjen e europianëve. Në atë kohë, Irani u dha të gjitha autorizimet për gërmime arkeologjike studiuesve francezë. Irani filloi gërmimet e tij të para në vitin 1937./ /os/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.