SHBA – Zëdhënësja e DASH, Heather Nauert tërhiqet nga gara për postin e ambasadores në OKB

UASHINGTON, 17 janar /ATSH-AFP/ – Heather Nauert, ish-gazetare dhe zëdhënëse e Departamentit amerikan të Shtetit njoftoi të shtunën tërheqjen e kandidaturës së saj për postin e ambasadores së SHBA-së në Kombet e Bashkuara.

Në një komunikatë për shtyp ish-prezantuesja e televizionit ”Fox News” u shpreh se dy muajt e fundit kanë qenë të vështira për familjen time, për këtë arsye është më e mira për familjen time që unë të tërhiqem nga gara.

Deklarata e shkurtër u publikua pak javë kritikash por gjithashtu talljesh ndaj mungesës së kompetencës së Nauert për një post kaq delikat, pasi ajo nuk kishte eksperiencë në diplomaci përpara se të bëhej zëdhënëse në prill të vitit 2017.

Trump e njoftoi kandidaturën e Nauert si të preferuarën e tij për rolin në OKB gjatë dhjetorit të kaluar. “Ajo është shumë e talentuar, e zgjuar, e shpejtë dhe mendoj se do të respektohet nga të gjithë”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë asokohe.

Nauert, e cila mban aktualisht rolin e zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, do të mund të zëvendësonte Nikki Haleyn, e cila njoftoi dorëheqjen në tetor të vitit të kaluar, për ta lënë më pas postin e ambasadores në OKB në fund të vitit 2018.

Shumë kundërshtarë të Trump ngritën dyshime për aftësinë e Nauert, pavarësisht sigurisë së saj përpara kamerave, ajo nuk kishte eksperiencën e duhur për tu përballuar me çështje kaq komplekse të marrëdhënieve të jashtme përballë diplomatëve të sprovuar të cilët përfaqësojnë shtetet e tjera anëtare në OKB./ / v.b/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.