FOTO/ “Gusht, portret familjar”, premiera e parë e vitit në ”arTurbina”

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/- Drama “Gusht: Portret Familjar” vepra më e rëndësishme e autorit Tracy Letts është premiera e parë për publikun e Teatrit Kombëtar këtë vit. Me regji nga Spiro Duni vepra sjell në role një kastë aktorësh të njohur.

Merita Xhani, Luli Bitri, Eva Alikaj, Dritan Boriçi, Flaura Kureta, Elia Zaharia, Ligoraq Riza, Neritan Liçaj, Myzafer Zifla, Niada Saliasi, Margent Caushi, Doriana Çaushi janë aktorët që regjisori Duni i ka besuar personazhet e veprës, që vijon këtë fundjavë në skenën e ”arTurbina”.

Në hollin e ”arTurbina” është hapur dhe një ekspozitë me thesare nga Arkivi i Teatrit Kombëtar me temë “Teatri, vitet ’50”, e cila do të qëndrojë hapur përgjatë gjithë mbrëmjeve të shfaqjes.

“Gusht: Portret Familjar” është kurorëzuar me çmimin prestigjioz Pulitzer, është cilësuar si drama e re më e pëlqyer në Broadway ndër vite.

”Gusht: Portret Familjar” është historia e familjes Ueston, që ka probleme të thella të cilat shpërfaqen me tërë fuqinë e tyre kur pjesëtarët e saj mblidhen në shtëpinë e tyre në Oklahoma, ku patriarku i familjes Beverli Ueston ka humbur. Gruaja e tij Violeta është një egoiste, manipuluese dhe e varur nga droga. Ajo përdor dhunë psikologjike dhe i torturon tre vajzat e saj.

Drama konsiderohet komedi e zezë, pasi vepra përshkohet nga humori. Përveç çmimit Pulitzer në vitin 2008, autori Tracy Letts është vlerësuar dhe me çmime të tjera. Autori shkroi edhe skenarin e filmit me të njëjtin titull, me aktoret e shquara Meril Strip dhe Julia Roberts. Të dyja aktoret u nominuan për çmimet Oscar. /a.a/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.