Alpinistë nga Shqipëria dhe Kosova urojnë Pavarësinë nga mali i Pashtrikut

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ – Mali i Pashtrikut i cili gjendet në Kosovë dhe në Shqipëri, me një lartësi prej 1,986 metra ka mirëpritur sot alpinistë nga Shqipëria dhe Kosova si një vend simbolik i cili lidh dy vendet tona për të uruar përvjetorin e njëmbëdhjetë të Pavarësisë së Kosovës.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka uruar sot Kosovën duke u shprehur: ”Gëzuar Kosovë!  Alpinistë nga Shqipëria dhe Kosova ngjisin malin e Pashtrikut, si simbolikë e sfidave drejt ndryshimeve të mëdha”.

Majat e malit të Pashtrikut formojnë kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë. Përgjatë këtij mali kalon lumi i Drinit të Bardhë.

Dy të tretat e malit i përkasin Shqipërisë. Pashtriku është i vendosur në veri-lindje të Shqipërisë, ndërsa fshati Krumë është i pozicionuar në krah të tij.

Pjesa tjetër, pra një e treta e malit është në Kosovë dhe është e vendosur në pjesën jug-perëndimore të Kosovës. Fshati Gjonaj është pozicionuar në krah të malit. /a.a/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.