Sektori i shërbimeve gjeneroi në ekonomi një vlerë të shtuar prej 3,2%

TIRANË, 16 shkurt /ATSH/- Sektori i shërbimeve në tremujorin e tretë gjeneroi në ekonominë e vendit, një vlerë të shtuar prej 3,2% më të lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Në raportin e publikuar së fundi, Banka e Shqipërisë bën të ditur se, kjo normë mbetet pranë mesatares historike të ecurisë së sektorit.
Ndërkohë që dega “Tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor” vazhdon të drejtojë performancën e shërbimeve, duke kontribuar me 2,2% në ecurinë e sektorit.
Vlera e shtuar e kësaj dege përshpejtoi ritmin e rritjes vjetore në 5,9%, e ndikuar kryesisht nga aktiviteti i lidhur me akomodimin dhe shërbimin ushqimor. Sipas ekspertëve ky tregues është i lidhur drejtpërdrejtë me rritjen e të ardhurave nga sektori i turizmit dhe rritja e prodhimit bujqësor vendas.
Ndërkohë, që vlera e shtuar e degëve të “Pasurive të paluajtshme” dhe “Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit” përshpejtoi ritmet e rritjes edhe gjatë kësaj periudhe. e.xh/e.caushi/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.