Rama: Do pastrojmë universitetet nga pedagogët sharlatanë

TIRANË, 16 shkurt /ATSH/- Kryeministri Edi Rama i siguroj sot studentët, se qeveria nuk do të mjaftohet të mbështesë ata vetëm me përgjysmimin e tarifave, por do të hapi një kantieri të madh, historik për rindërtimin nga themeli të gjithë infrastrukturës së Universiteteve për pajisjen me laboratorë dhe pastrimin e Universiteteve nga pedagogë sharlatanë.

Duke marrë fjalën në takimin që u zhvillua sot në Vlorë nën logon “Për Bashkinë që duam” Kryeministri Rama tha se, “Nuk do të mjaftohemi me përgjysmimin e tarifave apo pagesën e bursave për ata që janë më të mirët, apo që janë kategori të caktuara shëndetësore dhe sociale, nuk do të mjaftohemi as me bibliotekën digjitale e riparimin e konvikteve, por brenda këtij mandati do të kemi hapur kantierin më të madh, kantierin historik për rindërtimin me themel të gjithë infrastrukturës së universiteteve, për pajisjen e tyre me laboratorë dhe mjete didaktike dhe për pastrimin e universiteteve nga pedagogë sharlatanë, të cilët janë bërë doktorë shkencat në “Universitetin e doktoreshës” që është sot në Tiranë, duke u përpjekur që të bëjë gjilpëra dhe ndërkohë nuk meritojnë të kapërcejnë pragun e universitetit”. e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.