Protestuesit sulmojnë dyert e Kryeministrisë, hedhin molotov dhe shishe me benzinë

TIRANË, 16 Shkurt ATSH/ – Protestuesit e opozitës të mbledhur sot për të protestuar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tentuan të hyjnë brenda Kryeministrisë.

Gjatë protestës pati akte dhune nga nga ana e protestuesve, të cilët çanë kordonin e policisë disa herë dhe tentuan të hynin brenda godinës së Kryeministrisë.

Ata shkatërruan skelat mbrojtëse vendosur para derës hyrëse të godinës së Qeverisë, ndërsa hodhën kapsolla, fishekzjarre dhe tymuese.

Protestuesit e mbledhur nga opozita, hodhën edhe bomba benzine dhe flakadanë ndërsa goditën për të shkatërruar me skela, tulla e gurë dyert dhe thyer xhamat e kryeministrisë, madje edhe për ti vënë flakën. Gjithashtu, me veprime të dhunshme, protestuesit e opozitës shkatërruan edhe instalacionin e Kërpudhës që gjendet në oborrin e Kryeministrisë.

Protestuesit largoheshin vetëm pas ndërhyrjes së Gardës së Republikës me gaz lotsjellës dhe pasi situata qetësohej, ata u rikthyen disa herë duke u ngjitur mbi skela dhe duke arritur të thyejnë deri xhamin e dritares në katin e dytë të Kryeministrisë.

/gj.mima/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.