Ndreu: Qeveria nuk mund të rrëzohet me protesta militantësh

TIRANË, 16 shkurt ATSH/ – “Qeveria nuk mund të rrëzohet me protesta militantësh”, deklaron deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu në një intervistë televizive, duke shtuar se protesta u la në dorë të disa militantëve me agjendë të përcaktuar.

“Nuk ekziston mundësia që qeveria të bjerë me protesta militantësh. Opozita i ka numrat që të mbledhë protesta militantësh, por kjo nuk mund të kulmojë kurrsesi me rënien e qeverisë. Liderët e opozitës i kanë bërë llogaritë gabim. Nuk ka shans të merret pushteti me këto forma dhe të merret pushteti me një grup njerëzish të pajisur me molotov, me shkopinj që bënë atë që u pa përpara kryeministrisë”, tha Ndreu.

Ai u shpreh se, “Policia e Shtetit duhet përgëzuar pasi nuk ra në grackën e këtyre provokacioneve të akteve të dhunës. Arriti të shmangë implikimin saj me personat që kishin ardhur me agjendë të përcaktuar. Dhe ndodhi ajo që e unë e pata thënë, ashtu siç do vijë ashtu do ikin”.

“Liderët e opozitës treguan që nuk janë ata që përfaqësojnë interesat e popullit shqiptar. Janë njerëz që artikulojnë gjëra që vetëm ata i dinë dhe siç i sjellin njerëzit me autobusë, ashtu i kthejnë mbrapsht”, theksoi Ndreu.

Kjo, nënvizoi ai, “nuk ishte revoltë qytetare, revoltë ishte ajo e  studentëve, të cilët mbushën plot rrugën e Durrësit dhe kishin një kauzë. Këto çfarë kauze kanë?”

Ndreu theksoi se, “nëse ka një forcë politike që është autorja e skenareve në Shqipëri për të vjedhur zgjedhjet e lira është PD. Drejtuesit e opozitës nuk inspirojnë, nuk kanë kredibilitet”.

“Policia ka përvojën e duhur për t’u përballur dhe për t’u diferencuar me pjesën që ka ardhur realisht për protestë, me një pjesë tjetër, e cila e urdhëruar diku në disa qarqe politike, kishte ardhur për të krijuar rrëmujë. Policia nuk ra në grackën për t’u përballur fizikisht me protestuesit”.

Ndreu u shpreh se protesta e sotme ka lidhje me ngritjen  e SPAK-ut. “Po ngrihet SPAK dhe një pjesë e politikës është në panik. Sa më shpejt vjen SPAK, aq më shumë shtohen rrëmujat brenda dhe jashtë parlamentit”, theksoi Ndreu.

/gj.mima/  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.