Gjebrea: Policia e Shtetit sjellje profesionale, të papranueshme mesazhet e dhunës

TIRANË, 16 shkurt /ATSH/- Policia e Shtetit tregoj një sjellje shembullore dhe profesionale, përballë çdo situate dhune që shoqëroi protestën e opozitës sot në kryeqytet.

Kështu u shpreh Elona Gjebrea, deputetja e Partisë Socialiste në një intervistë televizive ku ndër të tjera theksoi se, “protesta e opozitës që përcolli mesazhe dhune është e pa pranueshme për çdo kënd. Nuk mund të merret pushteti me dhunë por me dialog dhe platforma më të mira që votohen më pas nga qytetarët”.

Në këtë kontekst vuri në dukje Gjebrea, përballë thirrjeve të opozitës për dhunë, policia i bëri apel protestuesve të distancohen nga dhuna, për më tepër që kishte informacion për pjesëmarrje të elementëve kriminal në këtë protestë.

“Aktet e vandalizmit ishin të dukshme dhe mund të kishte pasoja edhe më të rënda. Ndërsa policia vlerësoi situatën dhe ndërhyri duke respektuar të drejtat e njeriut dhe mbi bazën e një plani masash operacional duke vepruar ashti siç duhet”-tha Gjebrea.

Ajo theksoi se me protestën e sotme, opozita tregoi se nuk ka alternativë tjetër.

“Protesta e opozitës sot në Tiranë dhe takimi që zhvilloi Kryeministri Edi Rama në Vlorë me qytetarët, është një reagim i qartë që bën diferencën e PS me opozitën për atë se çfarë u ofron qytetarëve, mundësi më të mira zhvillimi të cilat bëhen vetëm nëpërmjet dialogut dhe diskutimeve. PS e ka treguar gjithnjë që është më pranë qytetarëve dhe mbështet qytetarët”-tha Gjerbrea. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.