DPT miraton planin e asistencës së huaj për vitin 2019

TIRANË, 16 shkurt /ATSH/- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve zhvilloi mbledhjen e 11-të të Komitetit të Reformave, ku u miratua plani i asistencës së huaj për administratën tatimore, për vitin 2019.

Në këtë plan parashikohen projekte bashkëpunimi me donatorë të huaj dhe administratat tatimore homologe.

Ndër të tjerash, plani i asistencës përfshin misione ekspertësh nga administratat homologe, në kuadër të mekanizmit europian TAIEX për qasjen me praktikat më të mira ndërkombëtare në lidhje me Hetimin Tatimor, Kontrollin Tatimor, Drejtorinë Ligjore dhe Teknike, si dhe Mbledhjen me Forcë.

Gjithashtu është parashikuar bashkëpunim edhe me Agjencinë Tatimore të Kosovës, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, QTATD dhe Administratën Doganore për ngritjen e një qendre të përbashkët trajnimi.

Asistenca nga Fondi Monetar Ndërkombëtar do të shtrihet në fushën e menaxhimit të riskut, borxhit, si dhe për rritjen profesionale të Shërbimit të Tatimpaguesve të Mëdhenj. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.