Aksi Kardhiq-Delvinë, Qato inspekton punimet në lotin 4

TIRANË, 16 shkurt /ATSH/- Punimet në aksin rrugor Kardhiq – Delvinë Loti 4, po ecën me ritme të kënaqshme dhe në përputhje me grafikun e punimeve.

Drejtoresha e Përgjithshme e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Sonila Qato inspektoi sot zhvillimin e punimeve që po kryen në segmentin rrugor Kardhiq-Delvinë Loti 4, e shoqëruar edhe nga ekspertët përkatës, ku pa nga afër ecurinë e punimeve. Loti 4 fillon në fund të Lotit 1 të këtij projekti, në afërsi të kryqëzimit me fshatin Fushëbardhë dhe përfundon në afërsi të Qafës së Skërficës.
Deri tani janë realizuar plotësisht punime gërmimi deri në gjysmën e segmentit dhe vijojnë punimet për mbushjen e trupit të rrugës. Gjithashtu kanë përfunduar punimet për shtatë tombino, muret mbajtëse si dhe pilotat e dy urave në aksin e punimeve të kryera.
“Sfida mbetet e madhe deri në realizimin e plotë të këtij aksi rrugor të rëndësishëm”, shprehet Qato.

e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.