Shënohet 49-vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës

PRISHTINË, 15 shkurt/ATSH/ – Sot shënohet 49-vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh në Kosovë dhe njëri nga më të mëdhenjtë në rajon. Viteve të fundit, UP-ja renditet ndër universitetet më të mira të rajonit.

UP është anëtar i Shoqatës së Universiteteve Europiane dhe ka bashkëpunim me universitete dhe institucione perëndimore europiane dhe amerikane.

UP u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit të Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Kosovës më 18 nëntor 1969. Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës dhe sidomos për kombin shqiptar. Kuvendi themelues i Universitetit të Prishtinës u mbajt më 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë, më 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit dhe data e 15 shkurtit u shpall Ditë e Universitetit të Prishtinës. /KosovaPress/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.