Rritja ekonomike, pa ndikim nga ecuria në Itali dhe Greqi

TIRANË, 15 shkurt /ATSH/ – Rritja ekonomike e Shqipërisë, nuk është ndikuar nga ekonomitë e dy vendeve kryesore partnere të Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, të cilat kanë shfaqur ritme të ndryshme rritjeje në tremujorin e tretë të vitit të shkuar.
Banka e Shqipërisë, bën të ditur se, Italia ka përjetuar një ngadalësim të aktivitetit ekonomik, si pasojë e frenimit të shpenzimeve konsumatore dhe kërkesës së brendshme në përgjithësi.
Kërkesa e huaj, në anën tjetër, ka ndikuar pozitivisht në aktivitetin ekonomik, citon BSH.
Të dhënat paraprake sugjerojnë për një ecuri të ngjashme edhe në tremujorin e fundit të
vitit. Ekonomia pritet të vijojë të shfaqë ecuri të dobët në vitin në vazhdim, duke
vuajtur ecurinë më të dobët në Eurozonë.
Sipas BSH-së, aktiviteti ekonomik në Greqi përshpejtoi rritjen në tremujorin e tretë. Kjo ecuri është falë rritjes më të shpejtë të shpenzimeve qeveritare dhe kontributit konstant
të shpenzimeve konsumatore e eksporteve.
“Aktiviteti ekonomik pritet të jetë zgjeruar edhe në tremujorin e fundit të vitit, si pasojë e përmirësimit të konsumit vendas dhe rritjes së investimeve”, citon Banka Qendrore, duke nënvizuar se, inflacioni vjetor në Itali dhe Greqi shënon rënie, duke treguar për presione inflacioniste të përmbajtura, që reflektohen edhe në inflacionin e Shqipërisë. /e.xh/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.