Prezantohet “Ferrari” i ri: “Misioni fitore”

TIRANË 15 shkurt/ATSH-A.Fortuzi/- “Misioni fitore”, ky është emri i makinës së re të skuderisë së “Ferrarit”, që u prezantua të premten.

“Ferrari” është një prej njëvendësheve pretendente për titullin kampion vitin 2019 të Formula 1. Këtë vit, makina do të pilotohet nga veterani Sebastian Vettel dhe një i ri i talentuar si Charles Leclerc. Në krye të “Ferrarit” është Mattia Binotto. “Ndryshimet janë bërë dhe kemi vijuar projektin e nisur një vit më parë, duke patur një makinë më të fuqishme. Besojmë shumë te puna e bërë dhe se do të vijnë rezultatet”, tha Binotto.

Sebastian Vettel, nis sezonin e tij të pestë me “kokëkuqen”. “Ky është një sezon i rëndësishëm, ku objektivi është vetëm fitorja. Nuk ka më vend për dështime apo gabime dhe besoj se me ndihmën e të gjithëve do t’ia dalim mbanë të realizojmë objektivat”, tha Vettel. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.