“Përrallë Mesdheu”, sjell sonte për publikun artistin Mario Mariani

TIRANË, 15 shkurt /ATSH/ – “Metro Sounds – Përrallë Mesdheu” prezanton mbrëmjen e sotme për publikun koncertin me pianistin e njohur Mario Mariani, në Teatrin Metropol.

Një kompozitor italian, pianist dhe interpretues i fuqishëm i njohur për tingujt e tij të pazakontë. Stili i tij shkon nga muzika bashkëkohore në shfaqje teatrore, muzikë për filma (Festivalet e Cannes, Venezia, New York, dhe Berlinit) dhe për televizion.

Mario Mariani ka realizuar rreth 1.000 koncerte në mbarë botën, si solist, me ensemble dhe orkestër, apo artistë multidisiplinarë. Bërthama artistike e Marianit është e rrënjosur në muzikën e improvizuar që shpesh performon me muzikantë, artistë, aktorë dhe interpretues të tjerë. Pas krijimit të grupit eksperimental Broz Ensemble, Mariani fillon e shkruan kolona zanore për filma, temat hapëse të Festivalit të Filmit të Venecias dy herë (1999-2001 dhe 2005-2007) dhe të gjithë filmat e Vittorio Moronit.

Ai gjithashtu prodhon muzikë për markat si Microsoft, Toyota, Fiat. Kompozimet e Marianit shkojnë nga muzika orkestrale dhe opera në shfaqje në kohë reale. Ai fitoi çmimin Novaracinefestival për Soundtrack- un më të mirë me filmin e shkurtër dhe të njohur ndërkombëtarisht “Nën kopshtin tim” nga A. Lodovichetti (dhënë nga Spike Lee). Ai tërhoqi vëmendje të mëtejshme në mbarë botën me disa shfaqje të pazakonta, si ‘rezidencë ekstreme artistike, ku solli një piano të madhe në shpellën e Monte Nerones (qendër të Italisë) dhe luajti një koncert çdo natë për një muaj të tërë.

Mario e konsideron muzikën e tij si një aktivitet krejtësisht krijues që e tejkalon veten dhe bëhet objekt diskutimesh të frytshme për çështje aktuale siç janë respekti për njerëzimin, mjedisin dhe projektet humanitare.

Festivali muzikor “Metro Sounds-Përrallë Mesdheu” ka nisur për publikun para disa ditësh në Teatrin e Metropolit. Programi përbëhet nga një përzgjedhje artistike, e cila është e ndërtuar për të na vënë në kontakt me identitetin dhe përkatësinë tonë Mesdhetare.

Ky program sjell copëza kulture nga fqinjët tanë më të afërt si një formë për të vlerësuar dhe dialoguar me kulturat, që na rrethojnë nëpërmjet muzikës. /a.a/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.