Foto/ Durrës, përpunohen tri anije me mallra tranzit për në Kosovë

TIRANË, 15 shkurt/ATSH/- Tri anije tregtare, dy nga të cilat ende në përpunim në kalatat e portit më të madh të vendit, kanë sjellë këto ditë mallra që do të vijojnë udhëtimin tranzit drejt Kosovës.

Në Qendrën e Informacionit në Autoritetin Portual Durrës, mësohet se aktualisht në kalatën 5 po shkarkohet anija “Chintana Naree”, me gjatësi 182.5 metra. Ajo ka sjellë 9.692 tonë llamarinë me rrotativa, porosi e grosistëve nga Kosova. Mësohet gjithashtu se rrotativat e llamarinës të ngarkuar në kamionë vijojnë menjëherë udhëtimin drejt Prishtinës.

Ndërkohë, në kalatën 2 po shkarkohet anija “Nali” me 2014 tonë xhama, që po vijojnë rrugëtimin tranzit me kamionë drejt Kosovës.

4928 tonë grurë me destinacion Kosovën solli në portin e Durrësit edhe anija “River Grace”, e cila përfundoi shkarkimin ditën e dielë.

Një muaj më parë në Portin e Durrësit ka filluar të funksionojë Zyra Doganore e Kosovës. Sipas qeveritarëve në të dy vendet, kjo zyrë përbën hapin e parë të rëndësishëm drejt bashkimit të plotë doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.