Vendimi për Dajtin, Rama: Do të zhbëhet, drejtësia e re do t’u shkojë në derë “peshkaqenëve” të drejtësisë

TIRANË, 14 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Kryeministri Rama ka deklaruar sot se janë marrë të gjitha masat për zhbërjen e vendimit të “Dajtit”, pasi drejtësia e re po vjen.

I pyetur për çështjen “Dajti” dhe akuzat e sekretarit të PD-së Çlirim Gjatës, Rama tha se ky sekretari do shkojë në gjykatë.

“Unë po shoh se kanë filluar gjegjet dhe unë kam 60 çështje që vazhdojnë dhe të gjithë këta do kalojnë në gjykata dhe do sjellin provat për ato që thonë”, tha ai.

Po ashtu Kryeministri theksoi se në një fazë të tillë të kalimi të drejtësisë nga kalbësira në drejtësinë e re.

“Ajo që po them është se jemi në një fazë tranzitore nga kalbësira te sistemi i ri i drejtësisë dhe pikërisht këtu qëllon të kemi goditje të tilla të rënda ndaj drejtësisë nga gjykatës të cilët e kanë ndarë mendjen që nuk e kalojnë Vetting-un dhe të kapin çfarë të kapin. Më vjen shumë rëndë kur ndodhin gjëra të tilla, sepse e di që njerëzit më kthehen mua ‘pse s’i fute në burg?’ Por po ju them njerëz, se kryeministri nuk fut njerëz në burg, qeveria ka detyrë të bëjë reforma dhe kjo shumicë qeverisëse, dhe kjo PS ka ndërmarrë reformën që nuk ja rrokte truri në këtë vend, reformën e pastrimit radikal të një pallati të mbushur me llum, pallatit të drejtësisë”.

Kryeministri Rama akuzoi gjyqtarë edhe prokurorë si peshqit e mëdhenj që kanë bërë çorap pronat dhe vetë drejtësinë.

“Ne flasim për peshk dhe peshkaqen, po çfarë janë këta, sardele? Gjyqtarë dhe prokurorë që kanë mbajtur sistemin peng për 20 e ca vite, që kanë luajtur të gjitha kartat në këtë vend. Kanë bërë çorap pronat, drejtësinë, kanë bërë çorap familjen dhe kanë mbretëruar larg çdolloj llogaridhënie, larg çdo mundësie për të qenë përpara drejtësisë, Këta janë peshkaqenë që po dalin jashtë rrjedhës së drejtësisë së re dhe është drejtësia e re që do u rikthehet këtyre”, – tha Kryeministri.

Duke iu rikthyer çështjes “Dajti”, Rama theksoi se s’kam asnjë lidhje, ajo që më kujtohet është se kabllogrami i Ambasadës amerikane tregonte se është i lidhur me njerëz të afërt të Saliut.

“Që të vijmë te kjo çështje, me këtë vrasës të katër policëve unë nuk kam asnjë lidhje, asnjë lloj njohje dhe kontakti, por e vetmja gjë që më kujtohet për të është kabllogrami i Ambasadës së SHBA-së në të cilën shkruhej se ky person ishte i lidhur me njerëzit më të afërt të Saliu”, – tha ai.

Po ashtu Rama tha se vendimi për Dajtin do të zhbëhet.

“Ne nuk do lëmë gur pa luajtur, që ky vendim të zhbëhet, kemi marrë masa, do bëjmë veprime të forta dhe do bëjmë gjithçka të zhbëhet dhe në Shqipëri do vijë një moment që shumëkush nga këta që sot janë tamam si hajduti, kapeni hajdutin, janë në përpëlitjen e madhe, drejtësia do vijë” tha ai. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.