Shën Valentin ndryshe/ Më shumë dashuri për mjedisin dhe pemët

TIRANË, 14 shkurt /ATSH/ – Një Shën Valentin ndryshe, që bën thirrje jo vetëm për ta dashur më shumë njëri-tjetrin, por në veçanti për të dashur dhe mbrojtur natyrën dhe mjedisin ku jetojmë.
Ky ishte mesazhi i ndalesës së radhës të fushatës ”Krijo oksigjenin tënd”, që në orët e para të mëngjesit, në Ditën e të Dashuruarve. Të mbjellim pemë, si simbolikë për dashurinë për pemën dhe natyrën.
”Operacioni jonë krijo oksigjenin tënd ka ardhur në qytetin e Tiranës, së bashku me disa kolege deputete, të cilat ju bashkuan me shumë dashuri kësaj dite. Ne arritëm që mëngjesin t’ja falim natyrës, erdhëm dhe i dhuruam natyrës dashuri, shpresojmë shumë që kjo dashuri të shkojë për të gjithë ato njerëz që ne duam”, tha ministri Klosi.
Të pranishëm në aktivitetin e mbjelljes së mimozave, bredhave dhe pemëve të blirit ishin edhe dy deputetet socialiste të qarkut të Tiranës dhe Elbasanit, të cilat vlerësuan nismën për të krijuar oksigjenin tonë në të gjithë Shqipërinë, veçanërisht në ditë si kjo, kur mbi gjithcka duhet kultivuar dashuria për jetë më të shëndetshme për fëmijët dhe brezat e të ardhmes.
”Më bukur sesa ti dhuronim dashuri natyrës sot, por mbi të gjitha ti dhurojmë dashuri gjithëkujt që jeton në Tiranë dhe jo vetëm, sidomos atyre që janë e ardhmja jonë, fëmijët. Unë mendoj që është gjëja më e bukur dhe duhet vlerësuar maksimalisht që në të gjithë Tiranës, në të gjithë Shqipërinë, njerëzit janë angazhuar për të arritur që ta ndryshojmë nga pak mjedisin, në të cilin jetojmë”, tha deputetja Blerina Gjylameti.
”Dua ta falenderoj shumë përzemërsisht ministrin e Turizmit dhe Mjedisit që na dha mundësinë për ta filluar kaq bukur ditën sot, duke mbjellë disa mimosa, mimozat e dashurisë, një mesazh shumë i bukur për ti përcjellë qytetarëve për më shumë dashuri për njëri-tjetrin natyrisht, por edhe për mjedisin, për pemët”, tha deputetja Evis Kushi.
Si simbolikë për dashurinë ndaj natyrës, por edhe për njerëzit e shtrenjtë, fushatës ”Krijo oksigjenin tënd” iu bashkuan shumë të rinj dhe të reja, që mbollën pemët e tyre të dashurisë, duke mos munguar edhe dedikimet e veçanta për njerëzit e zemrës. /a.a/ /j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.