Përgjimet nuk janë prova në debat

TIRANË, 14 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama i ftuar në emisionin “Real Story” foli edhe për të ashtuquajturën dosje 339. “Unë e konsideroj vërtet të trishtueshme, por edhe të neveritshme që një opinion i tërë publik tërhiqet për hunde me një kod: Dosja 339 dhe me disa komunikime fare të parëndësishme në telefon dhe ngrihet një histori e tërë që shkoi deri tek ‘Zëri i Amerikës’ dhe që më detyroi të reagoj se nuk e kam pritur që edhe ‘Zëri i Amerikës’ të hyjë në një fushë që i takon kazanit të Tiranës”, – tha ai.

Rama e paralelizoi situatën me përgjimet që dolën për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për të cilin aktualisht janë mbyllur hetimet nga prokuroria italiane. “Shqiptarët duhet të reflektojnë. U bë një katrahurë mbi qindra faqe përgjim të dy kriminelëve ordinerë që flisnin në telefon dhe herë pas here përmendnin Saimir Tahirin. U kërkua arrestimi i Saimir Tahirit mbi atë bazë dhe opinioni ushqehet nga heronj që nxjerrin dosje. Këto janë interpretime. Ndodhi që Saimir Tahirin, jo prokuroria shqiptare, jo qeveria, e as unë, po prokuroria italiane ia zbërtheu të ashtuquajturën dosje, që ishte një material përgjimesh dhe tha që nuk ka asnjë gjë absolutisht brenda”, – tha Rama.

“E sjell këtë në vëmendje për t’u thënë shqiptarëve, jo opozitës dhe as medies, se ka arsye përse përgjimi nuk është provë gjyqësore. Ka arsye përse një prokuror nuk akuzon, pasi përgjimi është baza për të gjetur prova, se përgjimi ndalohet të publikohet në disa vende, pasi shkatërron nervat e një publiku të tërë me këto muhabete. Kjo nuk do të thotë se unë po vë pikën për çështjen e Saimir Tahirit, por edhe prokuroria ka hyrë në një rrugë që s’po del dot”, – tha Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.