FOTO/ Artizanati, nxitje punësimit të grave në zonat rurale

TIRANË, 14 shkurt /ATSH/ – Ministrja e Kulturës, Elva Margariti zhvilloi një takim me gratë artizane të qendrës artistike “Zadrima” në Lezhë, shoqëruar nga Tereze Gega, drejtuesja dhe nismëtarja e aktivitetit.

Në këtë qendër janë punësuar 20 gra, ndërsa punohet paralelisht edhe për dhënien e zanatit, duke krijuar rrjetin e grave të vetëpunësuara përmes punimit në tezgjah. Janë trajnuar në fushën e artizanatit dhe të rrobaqepësisë rreth 100 gra.

Për më shumë se 20 vjet, në këtë qendër kanë punuar më shumë se 50 gra në periudha të ndryshme. Bashkëpunimi i ngushtë mes tyre dhe mirëmenaxhimi ka bërë të mundur që të ky aktivitet t’i rezistojë kohës duke u bërë gjithnjë e më i kërkuar dhe i vlerësuar nga komuniteti.

Kjo qendër është qendra e vetme në Shqipëri në prodhimin e fijes së mëndafshit. Drejtuesja informoi ministren për bashkëpunimet me firma të huaja, ku qendra ka tashmë dy kontrata të lidhura për prodhime artizanati me firma italiane.

Ministrja sqaroi dhe informoi se punësimi dhe mbështetja e sipërmarrjeve të sektorit të artizanatit dhe zejtarisë është në vëmendje të qeverisë shqiptare, me qëllim konsolidimin e tyre në treg dhe rritjen e numrit të të punësuarëve nëpërmjet “Fondit në mbështetje të biznesit kreativ”. /a.a/ j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.