TIRANË, 14 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla e konsideroi aktin e deputetit të Partisë Demokratike, Edi Paloka në Parlament si të turpshëm, ndërsa theksoi se ai nuk mund të jetë në nivele të larta të Kuvendit.
“Seanca e sotme duhet të jepte një mesazh që Shqipëria i jepte Maqedonisë së Veriut në këto moment të rëndësishëm kur rruga e Shqipërisë dhe e Maqedonisë së Veriut është bërë bashkë përsa i përket momentit të integrimit europian”, tha ai.
Po ashtu Balla shtoi se kjo është opozita që kemi dhe sado të duam të ndryshojmë nuk e ndryshojmë dot.
“Akti i Palokës ishte i turpshëm dhe i parapërgatitur. Ka patur në parlament edhe vezë. Gjithçka ishte e parapërgatitur, ishin dy shiringa. Këta që marrin akte të turpshme nuk mund të jenë më në nivel të lartë të Kuvendit. Edi Paloka nuk mund të jetë nënkryetari i Kuvendit, PD të sjellë kë të dojë. Gjithë kjo përpjekje e opozitës për të dëmtuar Shqipërinë, për të dëmtuar shqiptarinë”, theksoi ai.
/e.caushi/