Zejmen/ Rrjet i ri elektrik, përmirësim furnizimit me energji për 12 mijë banorë

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ – Në zonën e Zejmenit në Lezhë ka përfunduar investimi në rrjetin elektrik, faza e parë e të cilit mundësoi rikonstruksionin e rrjetit të tensionit të mesëm me gjatësi rreth 65 km, si dhe të rrjetit të tensionit të ulët.

Përmes këtij investimi nga OSHEE prej 85 milionë lekësh u vendosën 150 shtylla të reja, 10 kabina të reja, ndërrim rrjeti me cilësi të lartë, u vendosën linja të reja, duke rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike për zonën.

Kryeministri Rama, i shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ishin në Zejmen, ku përfundimi i këtij investimi ka rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Faza e parë e investimit që OSHEE ka ndërmarrë në zonën e Zejmenit ku preken 12000 banorë në 6 fshatra ka rritur shifrën 85 milionë”, – tha ministrja Balluku.

Sipas saj, investimi i fundit në këtë zonë, ashtu si në shumë zona të tjera në Shqipëri, është bërë në vitin 1971.

Kryeministri Rama theksoi se “jo vetëm këtu, por në shumë zona, investimet e fundit janë bërë në fazën e elektrifikimit dhe faktikisht sistemi është sistemi i kohës së elektrifikimit, prandaj edhe një erë të fryjë, borë po e po, këputen linjat dhe duhet filluar nga e para”.

“Kjo do të thotë që nga ’71 nuk janë bërë investime ne rrjet, do të thotë që rrjeti është ndërtuar për një popullsi të caktuar, me një ngarkesë të caktuar, ku nuk kishte në çdo shtëpi gjithë këto mjete shtëpiake dhe konsumi dhe nuk kishte këto lëvizje demografike. Duke pasur parasysh edhe turzimin dhe shumëfishimin e eksponencial të turistëve që do të thotë konsum energjie”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “prej disa vitesh ne kemi filluar investimet dhe Lezha ka qenë një problem i jashtëzakonshëm. Përmirësime janë bërë në zonën turistike, sepse edhe këtë vit e kemi dëgjuar nga operatorët turistikë, por kjo që po bëhet është bazë e një ndryshimi të madh”.

Me përfundimin e fazës së parë pritet të nisë faza e dytë për këtë zonë, e cila parashikohet të ketë një vlerë investimi rreth 60 milionë lekë të reja.

“Faza e dytë brenda muajit mars, sepse planifikojmë që të gjitha rikonstruksionet të mbarohen para fillimit të sezonit të verës”, – u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku.

Impakti i këtyre investimeve prek direkt edhe turizmin, duke qenë se plazhet e Shëngjinit dhe të Tales frekuentohen nga pushues vendas e të huaj. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.