Studentët ekselentë, kontrata 1-vjeçare punësimi në administratë

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ – Studentët të cilët kanë një mesatare 9-10 do të kenë mundësi punësimi në administratën shtetërore.

Gjatë takimit të zhvilluar me banorët e Rrëshenit, Kryeministri Rama foli edhe për punësimin e studentëve ekselentë në administratë, që, sipas kreut të qeverisë, është vonuar për shkak të bllokimit të sekretarive mësimore në universitete, çka ka sjellë mangësi në dokumentacionin e këtyre studentëve.

Duke iu përgjigjur interesit të një prej banorëve të Rrëshenit, Rama theksoi se është e sigurtë që studentët që kanë mbaruar me 9 dhe 10 do të kenë një vit punësim në administratën publike. “Janë shpallur 800 vende pune, por shumë nga studentët nuk kanë dokumentet e duhura për shkak të bllokimit të universiteteve, çka na bëri që të shtyjmë pak afatin e aplikimeve. Motra do të punësohet 100%, në të kundërt nuk do të vijmë më këtu”, iu drejtua Rama banorit. /e.caushi/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.