Shqipëria jashtë hartës së drogës, Lamallari: Qeveria mbajti premtimin

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ – Fenomeni i mbjelljes së lëndëve narkotike në Shqipëri gjatë vitit 2018 ka shënuar një reduktim drastik.

Zv/ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari në një intervistë televizive deklaroi këtë të mërkurë se qeveria shqiptare mbajti premtimin për ta nxjerrë Shqipërinë nga etiketime të panevojshme në nivel rajonal dhe më gjerë.

“Duke marrë në konsideratë që ky fenomen nuk është i ri, por i shtrirë ndër vite. Me ndryshimin e regjimit u shfaqën edhe format e para dhe më pas pati evoluim të këtij fenomeni në zona të ndryshme, ku për fat të keq Shqipëria mori edhe etiketime të panevojshme në nivel rajonal, por edhe më gjerë. Fshatra të caktuara shfaqën problematikat e tyre lidhur me kanabisin dhe zotimi i qeverisë shqiptare nga 2017 dhe viti i kaluar u bë realitet për ta hequr nga harta, kjo e dëshmuar dhe certifikuar tashmë nga partnerët ndërkombëtarë, kryesisht ata italianë, misioni Interforca dhe Guardia di Finanza të cilat përmes monitorimeve ajrore të Shqipërisë kanë dëshmuar se numri i parcelave të kanabisit dhe bimëve të kanabisit kanë rënë ndjeshëm”, – tha Lamallari.

Zv/ministri sqaroi se përqindja e territorit të monitoruar u rrit çdo vit, çka sipas tij përkthehet në një luftë të vërtetë ndaj fenomenit të krijuar ndër vite. Ai tha se fshatra si Lazarati ishin bërë streha të sigurta për trafikantë shqiptarë dhe jo vetëm.

“Duhet parë përqindja e territorit të mbuluar nga këto monitorime. Që do të thotë, nga viti në vit sipërfaqja e monitorimit u rrit dhe shanset për të zbuluar më tepër parcela që më parë ishin prezente, por nuk raportoheshin, ishin të mëdha. Për shembull mjafton të shohim vetëm vitin 2013 ku thuhet se të paktën në Lazarat kishte 319 hektarë, pa përfshirë hapësirën tjetër, e cila nuk mbulohej e gjitha me monitorim ajror. Në total ishin 323 hektarë. Pra, ne trashëguam një fenomen i cili ishte realisht problematik. Ne njihnim vetëm Lazaratin, megjithëse nuk ishim futur aty dhe është raportuar shpeshherë se edhe policia nuk kishte akses në këtë fshat, ashtu siç ishte rasti i Dukagjinit. Kemi patur incidente ku helikopterët janë qëlluar me armë, ka pasur të plagosur. Këto zona ishin bërë streha të sigurta për trafikantët jo vetëm shqiptarë. Sipas raporteve të Europol kishte trafikantë të kombësive të tjera të cilët vinin dhe prezantonin fara të ndryshme”, – theksoi ai.

Më tej, ai deklaroi se “Qeveria shqiptare që nga viti 2014 pati operacione masive edhe në Lazarat dhe Dukagjin. Tonelatat e kanabisit dhe lëndëve të tjera të forta narkotike dhe armëve u bënë prezente për publikun, që do të thotë u adresuan. Pati një goditje të fortë të këtij fenomeni dhe grupet kriminale që ishin përfshirë në këtë fenomen”.

Operacioni Forca e Ligjit sipas tij, ishte përgjigje ndaj nevojës për ta adresuar këtë fenomen.

“Kemi parë pasuri rreth 25 milionë euro të sekuestruara nga grupe që janë marrë me trafikun e drogës, por jo vetëm. E gjitha kjo ka një vullnet serioz i materializuar në fushën e kanabisit, tashmë edhe me goditjet e grupeve kriminale, së pari, për t’iu dhënë qytetarëve atë që ne u detyrohemi, siguri, rend dhe mirëqenie, por edhe për të përmbushur aspiratat e tyre për të qenë pjesë e familjes europiane së shpejti”, – u shpreh zv/ministri i Brendshëm, ndërsa theksoi se bashkëpunimi me ndërkombëtarët është fuqizuar.

“Bashkëpunimi me ndërkombëtarët është fuqizuar. Në fillim kishim bashkëpunim me Guardia di Finanza në aspektin e monitorimit të hapësirës ajrore. Tashmë hapësira është më e kontrolluar pasi ka jo vetëm bashkëpunim me vazhdueshëm me Guardia di Finanza dhe Interforca, por ka edhe me projektin Sankës, i cili është i financuar nga Bashkimi Europian. Ka edhe bashkëpunim ndërinstitucional, pra Ministria e Brendshme bashkëpunon me Ministrinë e Mbrojtjes. 43 zyrtarë vendorë janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi”, – përfundoi ai.

/z.tosku/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.