Raporti i “Guardia di Finanza”: Në 2018, reduktim drastik i kultivimit të bimëve narkotike në Shqipëri

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ – Fenomeni i mbjelljes së lëndëve narkotike në Shqipëri gjatë vitit 2018 ka shënuar reduktim drastik.

Në prezantimin sot të raportit mbi rezultatet e luftës kundër kanabisit nga “Guardia di Finanza” dhe Policia e Shtetit, evidentohet se nga pothuajse 200 orë fluturime që skanuan të gjithë territorin e vendit, u zbuluan vetëm 0,8 hektarë të mbjellë me kanabis, një përgjysmim krahasuar me vitin 2017, vit i cili u konsiderua i suksesshëm nga pala italiane përsa i përket angazhimeve dhe rezultateve pozitive të shënuara nga strukturat përkatëse në luftën ndaj kanabisit.

Lidhur me parcelat e mbjella, në raport theksohet fakti se ka një rënie në 27 parcela gjatë vitit 2018.

Një fakt për rënien e kultivimit të bimëve narkotike në vendin tonë gjatë vitit të shkuar  është edhe sasia e sekuestruar ku autoritete përkatëse italiane sekuestruan 6,5 tonë hashash nga Shqipëria, ku krahasuar me 2017 që u sekuestruan rreth 34,72 tonë, shënon një rënie të këtij fenomeni.

Në kuadër të luftës kundër kanabisit, Policia e Shtetit shpalli gjatë 2018-së, 220 shtetas në kërkim, duke arrestuar 106 prej tyre, mes të cilëve edhe punonjës policie.

Arrestimi në janar i Klement Balilit ishte një tjetër dëshmi e punës së Policisë së Shtetit në luftën kundër kundër drogës. Të dhënat e “Guardia di Finanza” konfirmojnë se taktika e ndjekur po jep sukses.

Në këto rezultate të shkëlqyera të arritura në luftën kundër drogës për vitin e lënë pas, një kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe disa taktika inovatore të provuara për herë të parë në vendin tonë.

Përveç punës së saj zbuluese në terren, Policia e Shtetit ka përpiluar një numër hartash digjitale për të gjithë territorin e vendit, ka punuar në parandalimin e përhapjes së farërave dhe ka ushtruar kontrolle të vazhdueshme në serra, tunele apo infrastruktura të tjera të braktisura ushtarake, që ndër vite janë përdorur me sukses nga grupet kriminale të kultivimit të hashashit. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.