Modeli i agroturizmit, “Mrizi i Zanave” në Fishtë të Lezhës merr certifikatën

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ –  “Mrizi i Zanave” në fshatin Fishtë të Lezhës, prej disa kohësh është kthyer në një nga bujtinat më të zëshme në vend, që mirëpret turistë nga vendi dhe të huaj, duke përfaqësuar një shembull të vërtetë suksesi në agrobiznes.

Sipërmarrësi Altin Prenga, i cili prej shumë vitesh i ka dhënë emër biznesit të tij përmes punës plot përkushtim dhe produkteve bio, tregon se idetë e tij janë ndihmuar se tepërmi edhe nga lehtësitë fiskale që ai ka përfituar.

“Ne kemi bërë 6 dhoma dhe një nga arsyet që i bëmë është se në bazë të ligjit për turizmin duheshin mbi 5 dhoma për të përfituar uljen e TVSh në 6 %. Me thënë të drejtën ka qenë një ndihmë e mirë dhe për ne”, – u shpreh ai.

Kryeministri Rama, gjatë ndalesës së tij në këtë model të agroturizmit, i dorëzoi Altinit certifikatën e agroturizmit.

“Kjo nuk është në Zvicër, as në Italinë e Veriut, as në Francë. Kjo është tek ‘Mrizi i Zanave’ në Fishtë. Ta shikojnë të gjithë se si po zhvillohet agroturizmi dhe mbi të gjitha me çfarë shije po zhvillohen 100 fshatrat”, – tha Kryeministri.

Lehtësitë fiskale jo vetëm kanë ndihmuar Altinin të investojë më shumë në sipërmarrjen e tij, por i kanë lejuar atij të përfshijë më shumë fermerë të zonës, produktet e të cilëve ai i merr dhe i përpunon për t’ua servirur klientëve në bujtinë.

Investimi i tij i fundit është në ish-burgun e Lezhës, të cilin ai e ka kthyer në një pikë të përpunimit të qumështit. “Kjo ka qenë ish-burg, ne e kemi rindërtuar. Kemi 35 familje që na furnizojnë me qumësht. Janë vetëm nga fshati Fishtë. Momentalisht janë me qumësht lope”, – tha Altini.

Tashmë, çdokush që synon të ngrejë një bujtinë, e ka shembullin të cilit mund t’i referohet dhe ai quhet “Mrizi i Zanave”, i cili me produktet e tij, me shërbimin dhe me mikpritjen ka bërë që çdo turist, vendas apo i huaj, që viziton zonën e Lezhës, të bëjë edhe një ndalesë në Fishtë te Mrizi i Altinit, modelin e agroturizmit në Shqipëri.​/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.