Mandati i ardhshëm i bashkive i fokusuar drejt zhvillimit të zonave rurale

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Rrëshenit në kuadër të takimit publik “Bashkia që duam”, theksoi se mandati i ardhshëm i bashkive do të ketë në fokus të veçantë zhvillimin e zonave rurale.

Duke pranuar problematikat e shumta në zonat rurale, Kryeministri Edi Rama iu përgjigj interesit të një prej banorëve të Rrëshenit për investimet në infrastrukturën rrugore në këto zona, për të cilat Rama theksoi se do të rrisë vëmendjen ndaj zhvillimit të fshatit.

“Problemi me rrugët rurale ka në të gjithë vendin dhe mundësitë për t’i bërë të gjitha në një kohë të shkurtër nuk ekzistojnë dhe nuk janë. Hap pas hapi do të bëhen. Mandati i ardhshëm i bashkive do të jetë i fokusuar dhe orientuar nga zonat rurale, sepse ky ishte mandati i parë që bashkitë e qyteteve patën edhe përgjegjësinë për zonat rurale, ku përgjithësisht zonat urbane kanë patur më shumë vëmendje. Pak nga pak do të spostohet ajo vëmendje te zonat rurale, duke stimuluar dhe zhvilluar agroturizmin dhe prodhimin e tyre. Ky është një proces që do të marrë kohën e duhur”, – theksoi Rama.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.