FOTO/ Mozaiku i Tiranës vendtakimi i studentëve me trashëgiminë kulturore materiale

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ – Mozaiku i Tiranës, monument kulture i kategorisë I, është siti arkeologjik më i vizituar i kryeqytetit.

Punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës në Sektorin e Tiranës, po kryejnë një punë sistematike, e cila bëhet periodikisht për mirëmbajtjen dhe kujdesin e veçantë për objektet që ndodhen aty, pasi kanë një vlerë të veçantë historike dhe kulturore.

Ky mozaik tashmë është kthyer dhe në një vend i cili vizitohet nga nxënës dhe studentë të cilët shfaqin interes për të mësuar rreth historisë dhe vlerave që ai mbart.

Së fundmi ky mozaik ka mirëpritur studentët e Drejtorisë Rajonale të Formimit Profesional, studentët e kursit të guidave turistike. Studentët ishin të fushave të ndryshme, histori, gjeografi, anglisht, ekonomik, juridik etj.

Gjatë orëve të guidës, specialistët e trashëgimisë kulturore të sektorit të Tiranës së DRKK Durrës, u dhanë studentëve informacione në lidhje me trashëgiminë kulturore materiale të qytetit të Tiranës dhe në veçanti informacion në lidhje me mozaikun dhe objektet që ndodhen pranë mozaikut. /a.a/ /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.