Fabrika e përpunimit të ullirit në Lezhë, shembull suksesi ku garantohet cilësia e produktit

TIRANË, 13 shkurt/ATSH/ – Prej afro një dekade në treg, falë rritjes kapacitetit dhe teknologjisë së prodhimit, realizuar edhe përmes mbështetjes nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural (AZHBR), fabrika e përpunimit të ullirit dhe fruta-perimeve “Amarilt” në Lezhë arrin të mbulojë deri në 50% të tregut për ullirin e përpunuar në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ndërsa ka depërtuar edhe në tregje të mëdha europiane, si Gjermani, Itali e Zvicër.

Siç rrëfen vetë sipërmarrësi, çelësi i këtij suksesi është cilësia e produktit që ofron, pasi fabrika e tij ka marrë certifikatën ISO, e cila garanton sigurinë dhe standardet më të larta ushqimore për vendet e Bashkimit Europian.

Kryeministri Rama ka parë nga afër këtë investim, që vitet e fundit ka rritur kapacitetin e prodhimit dhe të eksportit në rreth 700 tonë në vit dhe angazhon në zinxhirin e prodhimit direkt ose indirekt rreth 800 vetë.

“Linja e përpunimit të ullirit për tavolinë ka kapacitet rreth 700 tonë brenda një viti bujqësor, me rritje kapaciteti 20 tonë për 8 orë përpunim, e certifikuar për vendet e Bashkimit Europian. Ne jemi eksportues në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, ku zotërojmë rreth 40-50% të këtyre tregjeve me produkte të ullirit që zë peshën kryesore specifike të eksportit, por edhe me salca, majonezë, reçel, produkte pikante bujqësore. Kompania që punojmë ne sot është një kompani gjigante në Shkup, Maqedoni, që shpërndan në këto 3 shtete, e cila më parë ka përpunuar me Turqinë, pastaj me Greqinë, sot punon me “Amarilt” këtu në Lezhë,” shpjegon sipërmarrësi, duke shtuar se vitin e kaluar ka arritur të dyfishojë kapacitetet prodhuese falë futjes së teknologjisë së re me mbështetjen e AZHBR-së.

Sivjet, vijon ai, e kemi dyfishuar, rreth 500 tonë kemi shitur në vendet e Ballkanit.

“Përmes fondeve të AZHBR-së futëm disa gjëra mjaft të rëndësishme, siç është teknologjia spanjolle, madje edhe grekët e lakmojnë dhe është rritur komplet standardi, njëlloj si në Spanjë. Marr ullirin e Beratit, në Shkodër, në Vaun e Dejës, pjesën më të madhe unë ua kam marrë. 150 fermerë kam me kontratë. Kam 700-800 vetë, po të marrim një mesatare familjeje që punësohen, pra, janë të punësuar direkt, ose indirekt në këtë fabrikë,” nënvizon ai.

Për Kryeministrin Rama, edhe kjo fabrikë është një tjetër shembull kuptimplotë i suksesit që vjen kur garantohet cilësia e produktit, çka reflektohet edhe në zgjerimin e tregjeve.

“Në të gjithë këtë volum eksporti që është rritur dhe që ka shkuar jashtë nuk ka asnjë kamion të kthyer mbrapsht për arsye të standardit, asnjë kamion me fruta, asnjë kamion me perime, asnjë lloj problemi, të gjitha brenda standardit, se këtu historia është futet në kazan një rast, bëhet nami, “janë me kimikate, janë me helme, janë me këto e janë me ato” edhe çmendet ky milet. Natyrisht që ka raste abuzimi, por produktet tona asnjë kamion nuk është kthyer mbrapsht, nga pikëpamja e standardeve, flas nga ana e garancisë dhe sigurisë ushqimore”, shprehet Kryeministri.

Nga ana tjetër, Kryeministri thekson se një rol të veçantë ka edhe media, e cila nuk duhet të abuzojë me imazhin e biznesit prodhues vendas, pasi në këtë mënyrë dëmton edhe vetë konsumatorin dhe prodhimet shqiptare.

“Kur kemi filluar procesin për të kaluar antishpifjen në Parlament, – shprehet Kryeministri, – jam habitur, më shkruanin biznesmenë, “mos u tërhiq, na mbytën, na vënë gjoba dhe thonë, o paguaje, ose do të sulmoj në televizion, do të sulmoj në portal, në gazetë, do të të bëj copë, derisa të paguash”. Mirëpo, të gjitha këto janë stres për njerëzit.” /k.s/a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.