“Bashkia që duam”, investimet që transformuan Mirditën

TIRANË, 13 shkurt /ATSH A.ALLA/ – “Hyrja për në Rrëshen tashmë është një hyrje model për një qytet europian, sheshi i qytetit të Rrëshenit është një ndër sheshet më të mira në Shqipëri. Fituam projektin e unazë së re që ka përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës së qytetarëve. Gjithashtu fituam projektin për gjimnazin e Rrëshenit i cili është ndër gjimnazet më të mira”, u shpreh kryetari i bashkisë Mirditë Ndrec Dedaj gjatë takimit ”Bashkia që duam” që u zhvillua në Rrëshen, duke paraqitur punët e kryera.

“Këto ishin disa projekte të suksesshme që kemi arritur, por kemi dhe projektin për Pallatin e Sportit që ka nisur të ndërtohet dhe në qershor mendohet të përfundojë. Ndërtimi i kopshtit të ri i cili është në proces do sjellë një kapacitet 5 herë më të madh se kopshti ekzistues”, tha Dedaj.

”Në bashkinë e Rrëshenit janë investuar më shumë se 10 miliardë lekë të vjetra. Këto investime po kryhen në rrugën Rrëshen-Bukmirë e cila është 14 kilometra e cila kap një shifër prej 7 miliardë lekësh. Është landfildi i Rrëshenit i cili është modern me pastrim biologjik dhe, gjithashtu, është shkolla 9- vjeçare Bardhaj, kopshti i Rubikut etj”, vijoj ai.

“Në bashkinë tonë kanë ndodhur ndryshime të jashtëzakonshme dhe kaq shpejt dhe kjo falë konceptit dhe idesë që u materializua mbi reformën administrative-territoriale që është një ndër më të mirat që qeveria shqiptare ka marrë. Bashkia Mirditë me mbështetjen e qeverisë ka hartuar planin e përgjithshëm vendor ku i ka hapur rrugë zhvillimit të integruar të gjithë territorit. Nga kjo kemi vendosur sesi të shfrytëzohet pozitivisht territori i bashkisë së Mirditës”, theksoi Dedaj.

Gjithashtu Dedaj tha se, “në takimet që kemi bërë me grupet e interesit kemi biseduar se ku do t’i orientojnë parat e tyre për investim dhe sot një pjesë e tyre po investojnë në agroturizëm”. “Agroturizmi është në strategjinë e qeverisë shqiptare që është bërë pjesë dhe e strategjisë lokale për ta nxjerrë vendin nga varfëria duke mundësuar vende pune”, tha ai.

“Në mandatin e ardhshëm, ne do japim leje për zhvillimin e agroturizmit. Gjithashtu bashkia Mirditë ka fituar dhe projekte të tjera si nga Ambasada Amerikane për të rinjtë. Bashkia Mirditë në bashkëpunim me bashkinë e Ulqinit ka projekte për krijimin e vendeve të punës për gratë dhe vajzat duke u mbështetur tek prodhimet dhe tradita vendase. Gjithashtu kemi fituar projektin e markimit të 400 shtigjeve dhe marrjen e pajisjeve për promovimin e bukurive natyrore të Mirditës. Pra jemi në rrugën e duhur për të tërhequr sa më shumë turistë për ta vizituar Mirditë duke sjellë kështu sa më shumë të ardhura për bashkinë tonë”, përfundoi kryetari i bashkisë Mirditë Ndrec Dedaj. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.