Rruga e re Shëngjin-Velipojë do të nxisë zhvillimin e turizmit

TIRANË, 12 shkurt /ATSH/ – Rruga e re Shëngjin–Velipojë, një aks strategjik i rëndësishëm  për zhvillimin e turizmit, është një tjetër vepër e infrastrukturës në bashkinë e Lezhës që do të ndërtohet sipas standardeve më të mira.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot gjatë një takimi me banorë të Lezhës, në kuadër të ciklit kombëtar “Për bashkinë që duam” se ky aks, që lidh Lezhën me Shkodrën, do të shtojë edhe mundësitë e punësimit. “Ndërkohë, do të ndërtojmë edhe urën mbi lumin Bunë për t’i dhënë një rritje turizmit nga të dy anët midis Shqipërisë dhe Malit të Zi”, theksoi Rama.

“Rruga Shëngjin-Velipojë, do të ndërtohet sipas standardeve më të mira. Jemi në përfundim të procedurës për rrugën Milot-Balldren që do të bashkohet me autostradën dhe do ta bëjë këtë aks më të shpejtë dhe të sigurt jo vetëm për qarkullim e mjeteve por me impakt edhe në ekonomi”, theksoi Kryeministri Rama. /e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.