Regjistrimi i titujve të tokës bujqësore, shtyhen afatet

TIRANË, 12 shkurt /ATSH – I. Vata/ – Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, në drejtimin e kryetarit, Ulsi Manja, miratoi shtyrjen me një vit të afatit për verifikimin dhe regjistrimin e titujve të tokës bujqësore, ndërsa adresoi edhe një problematikë të shfaqur në zonën e Divjakës, ku mospërputhja e tokës me vendbanimin mbante të bllokuar regjistrimin e pronës.

Të pranishëm në mbledhje ishin Ermira Gjeçi, zëvendësministre e Bujqësisë dhe Teuta Vodo, zëvendësministre e Drejtësisë. Relatorë të të dy projektligjeve ishin deputetët e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka dhe Bashkim Fino.

Nga ana e saj, Bushka, në cilësinë e relatores, sqaroi se të dy projektligjet kanë nevojë për dy ndërhyrje: për shtyrje të afateve dhe për saktësimin e zgjidhjes së problematikës për banorët e Divjakës, për familjet bujqësore.

Po ashtu, deputetja Bushka u shpreh gjithashtu se është punuar me një grup të përbashkët pune, me praninë e të dy relatorëve, me praninë e propozuesit, Braçe dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të ministrive përkatëse, për të punuar riformulimet në ndryshimet e propozuar nga Braçe, lidhur me qartësinë e tyre dhe teknikën legjislative.

Opozita, përmes deputetit Fatmir Mediu, ngriti pretendimin e mospërputhshmërisë së projektligjeve me standardet europiane.

“Koncepti është leninist, që toka i përket atij që e punon. Keni shkatërruar të drejtën e pronësisë në Shqipëri. Të gjitha palët politike që kanë qenë në qeveri për interesa sa politike, sa elektorale dhe korruptive. Në mënyrë të veçantë ky ligj. Ka deputetë sot që kanë prona në toka në ferma bujqësore, deputetë që nuk kanë asnjë lidhje me pronën”, tha ai.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Bujqësisë shprehën dakordësinë me propozimet e Braçes dhe sugjerimet e relatores.

Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjet: “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 171/2014, “Për përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar” dhe “Për një ndryshim dhe një shtesë në ligjin nr. 9948, datë 7.7.2008, “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, të ndryshuar”.

Në fund Manja tha se “nuk po ia marrim, as po ia japim pronën kujt, thjesht po krijojmë mundësi që të bëhet verifikimi i titujve të pronësisë dhe regjistrimi”. Nisma kaloi me votën kundër të 3 deputetëve opozitarë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.