Rama: Nga veriu në jug, 300 kantiere do t’u ndryshojnë faqen brenda këtij mandati qendrave shëndetësore

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/- Falë programit kombëtar për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore deri në fund të mandatit ambulanca Cepo, Gjirokastër është transformuar rrënjësisht.

Kryeministri Rama vlerësoi sot transformimin total e kuptimplotë të kësaj qendre shëndetësore.

“Mirëmëngjes dhe me kënaqësinë që nga veriu në jug, 300 kantiere do t’u ndryshojnë faqen brenda këtij mandati qendrave shëndetësore të Shqipërisë, duke i transformuar nga rrënoja fyese për dinjitetin njerëzor, në pika shërbimi normal për qytetarët e këtij vendi, ju uroj një ditë të mbarë”, theksoi Rama.

Doktoreshë Eglantina Zhega, shprehet se nuk dallohej që ishte qendër shëndetësore kishte shumë lagështi, myk. Sot ndryshimi ishte shumë i madh edhe pacientët ndihen komodë në punën e tyre.

Një banore thotë se si nga ana e jashtme si brenda ishte për të ardhur keq gjithçka është mrekulli.

Aldona Shehu infermiere në këtë ambulancë shprehet se “të them të drejtën nuk mendoja se do të arrinte këtu ku është sot me këto kushte kaq të mira”.

“Në këtë qendër kam 14 vjet që punoj kushtet linin shumë për të dëshiruar, tani edhe pacientët ndihen edhe më komodë”, shprehet infermierja Shehu.

Kjo ambulancë është një nga 80 qendrat shëndetësore të rindërtuara me themel gjatë fazës së parë të këtij programi. Faza e dytë e këtij programi nis këtë vit me 100 qendra të tjera./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.