Rama: Mbi 11 mijë familje përfituan nga skema e re e ndihmës ekonomike

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ – Skema e re e ndihmës ekonomike ka nxjerrë jashtë kësaj skeme personat të cilët e përfitonin atë me të padrejtë, duke futur në këtë skemë më shumë se 11 mijë familje të cilat realisht e përfitonin atë.

Në bashkëbisedimin që Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot me banorët e zonë së Lezhës,  theksoi se përzgjedhja e kandidatëve për të përfituar ndihmën ekonomike bëhet me anë të sistemit kompjuterik, çka sipas tij largon manipulimet.

“Ndihmën ekonomike nuk e jep kryetari i bashkisë, ajo jepet nga sistemi kompjuterik, ku secili fut të dhënat dhe është sistemi që bën kualifikimin sipas të dhënave, është sistem që e kemi shtrirë në të gjithë Shqipërinë, që është punuar bashkë me Bankën Botërore dhe ka pastruar në masë të madhe ata që nuk u takon dhe ka futur 11 mijë familje që nuk e merrnin dot gjallë në botë. Ata ishin realisht në situatë shumë të vështirë dhe asnjëri nuk i llogariste për të gjallë. Por, sistemi nuk është perfekt, ka raste që nga ankesat është dashur të bëhen verifikime. Qysh prej vitit të kaluar asnjë kryetar bashkie nuk ka lidhje me ndihmën ekonomike dhe përzgjedhja me anë të sistemit kompjuterik është bërë pikërisht për të larguar ndërhyrjet e kryetarëve dhe këshillave bashkiakë. Këshilli bashkiak i Kukësit i jepte ndihmë ekonomike vetes së vet. Gjithë anëtarët e këshillit të Kukësit merrnin ndihmë ekonomike”, – theksoi Rama.

Skema e re e ndihmës ekonomike largoi përfituesit e padrejtë të saj, duke shtuar familjet që realisht duhet ta përfitonin. Pas dhënies së kësaj ndihme, Qeveria shqiptare po orienton këta përfitues drejt punësimit të përhershëm me anë të Zyrave të Punës./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.