“Bashkia që duam” në Lezhë, Rama: Kemi gati kontratën për rrugën e Torovicës

96

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ – Kryeministri Edi Rama i siguroi banorët e Lezhës se rruga e re e Torovicës nis së shpejti dhe ky aks i lënë në harresë prej vitesh do të bëhet sipas standardeve më të mira.

Në takimin publik që zhvilloi sot në Lezhë, në kuadër të ciklit kombëtar “Bashkia që duam”, Kryeministri Rama tha se projekti për rrugën e Torovicës është gati. “Së shpejti nënshkruajmë kontratën dhe kjo rrugë aq shumë e kërkuar nga ju, do të bëhet realitet”, tha ai.

“Me investimin që do të ndërmarrim, banorët e kësaj zone nuk do të ndihen më të braktisur”, u shpreh Kryeministri Rama, ndërsa solli në vëmendje se ky investim është një premtim i mbajtur.

“Gjatë takimit elektoral me banorë të kësaj zone para dy viteve, me banorët të cilët e kishin bërë kapërcimin përtej të majtës tek e djathta, më thanë ‘do e bësh apo jo rrugën e Torovicës’ dhe përgjigja ime ishte ‘po’. Megjithatë, ideja është besoni e kontrolloni, por faktikisht rruga do të fillojë për pak ditë”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.