Operacioni “Lulet e Pranverës”, Cutillo: Rezultat i jashtëzakonshëm në luftën kundër krimit

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ – Ambasada e Italisë në Shqipëri, ka reaguar pas finalizimit të operacionit ndërkombëtar të trafikut të drogë të koduar “Lulet e Pranverës”, duke theksuar se bashkëpunimi gjyqësor dhe ai policor mes Italisë dhe Shqipërisë ka çuar në arritjen e rezultateve të jashtëzakonshme në luftën ndaj krimit të organizuar.

“Bashkëpunimi gjyqësor dhe ai i policisë mes Italisë dhe Shqipërisë ka çuar në arritjen e rezultateve të jashtëzakonshme në luftën ndaj krimit të organizuar. Arrestimet e kësaj mbrëmjeje janë një rezultat i rëndësishëm i arritur falë punës së përbashkët të kryer nga Skuadra e parë Hetimore e Përbashkët që i ka mundësuar magjistraturës dhe policisë italiane dhe asaj shqiptare të punojnë së bashku. Ambasadori Cutillo shpreh kënaqësinë e madhe për rezultatet e shkëlqyera të arritura në operacionin “Lulet e Pranverës” të Skuadrës së parë Hetimore të Përbashkët (S.I.C.) e krijuar mes autoriteteve gjyqësore të Italisë dhe Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Italisë.

Operacioni i finalizuar me sukses ka goditur katër grupe kriminale, duke vendosur në pranga 27 shtetas, ku 21 prej tyre janë me origjinë shqiptare. Operacioni është rezultat i një hetimi dyvjeçar nga prokuroria e Leçes në Itali.

/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.