Nis verifikimi i 12 guroreve në malin e Krujës, pezullohet aktiviteti për 4 prej tyre

112

TIRANË, 12 shkurt/ATSH/ – Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nisur punën për verifikimin e 12 guroreve që kryejnë aktivitetin e tyre në malin e Krujës.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi theksoi se është pezulluar aktiviteti për 4 nga këto gurore që operojnë në malin e Krujës.

“Nis puna për verifikimin e dokumentacionit të 12 guroreve, që ushtrojnë aktivitetin në zonën e mbrojtur të malit të Krujës.
Pezullim aktiviteti për 4 guroret e para! Task Forca, e përbërë nga 4 ministri vijon aksionin e përbashkët me qëllim ndëshkimin e subjekteve, që veprojnë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, në dëm të qytetarëve dhe Krujës turistike”, shprehet Klosi.

Me qëllim ruajtjen dhe reduktimin e ndotjes së mjedisit, qeveria shqiptare ka ndërmarrë aksione për mbylljen e guroreve të cilat nuk përmbushin kriteret e duhura.

/e.xh/e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.